
Më 7 dhjetor 1943, në Trento (Itali), lindi Lëvizja e Fokolarëve. Themeluesja e saj, Chiara Lubich, ishte njëzet e tre vjeç kur atë ditë iu kushtua Hyjit. Atëherë ajo ishte e vetme. Ishte e pamundur të përfytyroje se çfarë frytesh do të jepte ai kurorëzim me Hyjin. Sot miliona njerëz të moshave të ndryshme, pjesëtarë të grupeve shoqërore, gjuhëve, racave e bindjeve të ndryshme, në 182 shtete të botës, përpiqen me vetëmohim të ndërtojnë një vëllazëri të re dhe të kontribuojnë kështu në ndërtimin e njësisë në familjen njerëzore, e cila është e munduar nga dhuna, përçarjet dhe pabarazitë shoqërore e kulturore.
Spiritualiteti
Themeli i kësaj jete është dashuria e ndërsjellë e vazhdueshme, e cila e mundëson njësinë dhe praninë e Jezusit në bashkësi. Spiritualiteti është i rrënjosur thellë në Ungjill dhe mbështetet në 12 pika kyçe:
Hyji është dashuri — Atij t'i jepet vendi i parë;
Të pranohet vullneti i Hyjit;
Të duhen të afërmit;
Të duhemi ndërmjet vete, ashtu siç na do Jezusi secilin prej nesh;
Të jemi një, ashtu siç është Trinia e Tërëshenjtë;
Të jetojmë për praninë e vazhdueshme të Krishtit në bashkësi;
Të ecim drejt njësisë nëpër rrugën e britmës së Jezusit të braktisur nga Ati mbi kryq;
Ta shkruajmë Ungjillin me jetën tonë;
Të jemi një me trupin e Krishtit në Eukaristinë e Tërëshenjtë;
Ta ndjekim rrugën e Marisë, të krishteres së parë;
Të jemi kudo Kishë e gjallë;
Të jetojmë në atmosferën hyjnore të Shpirtit Shenjt dhe ta dëgjojmë vazhdimisht zërin e Tij.
Struktura e bashkësisë
Edhe pse të gjithë e jetojnë të njëjtin spiritualitet, për shkak të larmisë së personave që e përbëjnë — të rinj, të rritur, fëmijë, familje e priftërinj, murgj e murgesha, madje edhe ipeshkvij — Lëvizja është e ndarë në 27 degë, mes të cilave edhe disa lëvizje me një spektër të gjerë veprimi:
fusha të ndryshme të shoqërisë, përmes lëvizjes së Njerëzimit të Ri, e cila angazhohet konkretisht ta fusë frymën e dashurisë në të gjitha poret e shoqërisë;
bota e familjeve, me lëvizjen e Familjeve të Reja, e cila me jetën e me veprimtaritë e veta përpiqet t'u përgjigjet goditjeve e traumave që e godasin këtë qelizë themelore të shoqërisë;
të rinjtë dhe fëmijët, me lëvizjen e Të rinjve për një botë të bashkuar dhe të Fëmijëve për njësinë, të cilat u propozojnë të rinjve një jetë rrënjësore sipas Ungjillit si përgjigje ndaj synimeve të tyre më të thella;
bota e Kishës, me lëvizjen e Priftërinjve, lëvizjen e Famullive dhe lëvizjen e Bashkësive rregulltare, të cilat, përmes thirrjes së tyre, i ftojnë ata të japin kontributin e vet për njësinë, për të cilën Jezusi u lut para vdekjes së vet: „Të gjithë të jenë një“;
politika, përmes Lëvizjes për njësinë.
Në qendër të Lëvizjes janë fokolarët (bashkësi grash e burrash), bashkësi të vogla me një stil të ri, të përbëra nga laikë që janë dhuruar tërësisht Hyjit. Atyre u përkasin edhe laikët e kurorëzuar, të cilët janë po ashtu të kushtuar Hyjit në pajtim me thirrjen e tyre.
Bashkësia në famullinë tonë
Bashkësia e Fokolarëve (Vepra e Marisë) në famullinë tonë mblidhet në takimet Fjala e jetës. Anëtarët e bashkësisë organizojnë herë pas here takime të hapura — veçanërisht për Krishtlindje, për familjet me fëmijë. Disa herë në vit merret pjesë në programe shpirtërore në Qendrën e Lëvizjes së Fokolarëve në Kroaci, ku mbahen edhe takime të grupmoshave të ndryshme, por edhe në Itali; si edhe në takimin vjetor „Mariapolis“, që mbahet në Maqedoni.