
Kapela katedrale Shën Ana
Kapela Shën Ana gjendet në anën e djathtë të hyrjes së katedrales. Ajo shërben kryesisht për kremtimin e meshës së shenjtë gjatë periudhave të dimrit, si dhe për grupe të vogla shtegtarësh e për takime lutjeje me të rinjtë. Në murin pas altarit qëndron një pikturë e madhe që paraqet Jezusin e Mëshirshëm, e pikturuar sipas vegimeve të motrës Faustina Kowalska nga Polonia.
Në kapelë është vendosur një statujë e madhe prej druri e shën Anës, nënës së Virgjërës së Bekuar Mari. Statuja është punim i shkollës tiroleze dhe ndodhej qysh në katedralen e vjetër. Shën Ana, duke e mbajtur Marinë për dore, tregon në mënyrë mbresëlënëse se çfarë është pedagogjia e vërtetë: me dorën e majtë mban dorën e djathtë të së bijës, kurse me gishtin tregues e paralajmëron që në rrugën e jetës të ketë kujdes se çfarë bën dhe të largohet nga e keqja. Ky është vërtet qëllimi kryesor i edukimit të fëmijëve.
Në Vitin jubilar të Mëshirës 2016, të shpallur nga Papa, dyert e jashtme të kapelës ishin ‘Dyer të Shenjta’, të cilat u hapën e u bekuan solemnisht për fitimin e faljes së plotë.


Në kapelë ndodhet edhe froni papnor, i cili u punua posaçërisht me rastin e vizitës apostolike të papës Françesku në vendin tonë.