
Urdhrin e motrave „Bija të Dashurisë së Krishterë“ (Usmiljenke) e themeluan shën Vinçenc Pali së bashku me shën Luiza de Marillac më 29.11.1633 në Francë. Sipas fjalëve të themeluesve, qëllimi i Bashkësisë është: „Të lëvdohet Zoti ynë Jezu Krisht si burim dhe shembull i dashurisë, duke u dhënë ndihmë trupore e shpirtërore personave të varfër“.
Me ftesë të ipeshkvit të Shkupit e të Prizrenit, dr. Ivan Franjo Gnidovec, dhe të mjekut shkupjan dr. Pavle Pajč, pronar i sanatoriumit „Vardar“, motrat Vinçenciane të provincës sllovene erdhën në Shkup më 7 prill 1927. Në manastirin e motrave Vinçenciane në Shkup kanë jetuar deri në shtatëdhjetë motra, prej të cilave shumica punonin nëpër spitale, drejtonin jetimoren „Shën Jozefi“ në Bit Pazar dhe merrnin pjesë në katekezën famullitare.
Sot, në famullinë e Shkupit ka tri motra rregulltare të këtij urdhri, të cilat janë përfshirë në mënyrë aktive në katekezën famullitare dhe në kujdesin për të varfrit.