Quhet edhe sakramenti i kthimit, i pendesës dhe i pajtimit. Sakrament i kthimit, sepse e realizon në mënyrë sakramentore thirrjen e Jezusit për kthim; sakrament i pendesës, sepse e shenjtëron rrugën vetjake e të përbashkët të kthimit dhe të pendimit të të krishterëve; sakrament i pajtimit, sepse pohimi ose rrëfimi i mëkateve para priftit është element i rëndësishëm i këtij sakramenti; sakrament i faljes, sepse, përmes faljes sakramentore priftërore, Hyji i jep penduesit „faljen dhe paqen“ dhe dashurinë e Hyjit që fal.
Ai përbëhet nga disa pjesë:
Përshëndetja dhe bekimi i priftit;
Rrëfimi me pohimin dhe shprehjen e mëkateve para priftit;
Pranimi i pendesës;
Falja priftërore;
Shprehja e lëvdimit dhe e falënderimit ndaj Hyjit;
Lëshimi me bekimin e priftit.
Themeli biblik
Kisha Katolike e gjen themelin biblik të sakramentit të rrëfimit në pushtetin e Jezusit për t'i falur mëkatet (p.sh. Ungjilli sipas Markut 2,10; 2,5; Ungjilli sipas Lukës 7, 48), si edhe në porosinë që ai ua la nxënësve të vet, kur u tha: „Siç më dërgoi mua Ati, ashtu edhe unë ju dërgoj ju. — Kujt t'ia falni mëkatet, do t'i jenë falur; kujt t'ia mbani, do t'i jenë mbajtur.” (Gjoni 20,21.23) Pjesëmarrja e apostujve në pushtetin e Jezusit për të falur mëkatet nxirret nga fjalët e Jezusit drejtuar Pjetrit: „Ty do të t'i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: çkado të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur në qiell; e çkado të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur në qiell.” (Mateu 16,19). Prandaj Kisha Katolike mëson se pajtimi me Kishën nuk mund të ndahet nga pajtimi me Hyjin.
Riti i pajtimit dhe shërbëtorët e sakramentit
Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse besojnë se ky akt i pajtimit ndodh përmes fesë, të cilën e shënojnë dukshëm sakramentet e pagëzimit dhe të pajtimit (rrëfimit), ku është i rëndësishëm roli i priftit si përfaqësues i kishës. Këto dy kisha, pra, besojnë se në sakramentin e pajtimit ose të rrëfimit ndodh pajtimi me Hyjin dhe pajtimi me kishën.
Sakramenti i rrëfimit, sipas mësimit katolik, përbëhet nga dy elemente të rëndësishme. Njëri prej tyre është vepra e njeriut, i cili kthehet përmes veprimit të Shpirtit Shenjt. Kjo përfshin pikëllimin për mëkatin, rrëfimin dhe pendesën. Elementi tjetër është veprimi i Hyjit përmes ndërhyrjes së kishës, e cila, nëpërmjet ipeshkvit dhe presbiterëve të tij, në emër të Jezu Krishtit jep faljen e mëkateve dhe cakton mënyrën e pendesës. Mëkatari shërohet kështu dhe kthehet përsëri në bashkimin kishtar.
Detyrimi i fshehtësisë së rrëfimit
Kisha shpall se çdo prift që dëgjon rrëfim është i detyruar, nën kërcënimin e dënimeve më të rrepta (shkishërimi), ta ruajë fshehtësinë për mëkatet që ia ka rrëfyer penduesi. Nuk i lejohet të flasë as për atë që ka mësuar në rrëfim për jetën e penduesit. Ndalohet çfarëdo incizimi ose çfarëdo përcjelljeje tjetër e përmbajtjes së rrëfimit. Fshehtësia e rrëfimit, e cila nuk lejon përjashtime, quhet „vula sakramentore“, sepse ajo që penduesi ia ka pohuar priftit mbetet „e vulosur“ në sakrament. Fshehtësia e rrëfimit i detyron edhe të gjithë besimtarët që mund të gjenden në rrethanën e dëgjimit të rrëfimit të dikujt tjetër.
Kuptimi dhe veprimi i sakramentit
Kuptimi dhe veprimi i këtij sakramenti është pajtimi me Hyjin. Ata që e marrin pendesën, me zemër të penduar dhe me prirje fetare, arrijnë „paqen dhe qetësinë e ndërgjegjes bashkë me një ngushëllim të fuqishëm shpirtëror“. Sakramenti i pajtimit me Hyjin sjell një „ngjallje shpirtërore“ të vërtetë, e kthen dinjitetin dhe jetën e mirë të bijve të Hyjit, prej të cilave më e çmuara është miqësia e Hyjit. Ata që i afrohen pendesës marrin prej mëshirës së Hyjit faljen për fyerjet ndaj tij dhe njëkohësisht pajtohen me Kishën. Penduesi, të cilit i është falur, pajtohet me vetveten në thellësitë më të brendshme të qenies së vet, ku përsëri e fiton të vërtetën e vet të brendshme: pajtohet me njerëzit që në njëfarë mënyre i ka fyer e i ka plagosur; pajtohet me Kishën; pajtohet me tërë gjithësinë. Në këtë mënyrë rrëfimi nuk e shëron vetëm mëkatarin, por, duke e shëruar atë, e shëron edhe tërë trupin e kishës.

Detyrat e besimtarit gjatë rrëfimit
Pendimi është në vend të parë. Ai është „dhembje e shpirtit dhe dënim i mëkatit të kryer, me vendimin për të mos mëkatuar më“. Pohimi i mëkateve para priftit është pjesë e rëndësishme e sakramentit të pendesës: „Penduesit duhet t'i numërojnë në rrëfim të gjitha mëkatet e rënda për të cilat janë të vetëdijshëm pasi janë shqyrtuar me kujdes, edhe nëse bëhet fjalë për mëkatet më të vogla dhe të kryera vetëm kundër dy urdhërimeve të fundit të Dhjetë urdhërimeve të Hyjit, sepse ndonjëherë këto mëkate e plagosin shpirtin më rëndë dhe janë më të rrezikshme se ato që bëhen haptas“. Kur besimtarët e Krishtit përpiqen t'i rrëfejnë të gjitha mëkatet që u kujtohen, të gjithë pa dyshim ia parashtrojnë mëshirës së Hyjit që t'ua falë. Përkundrazi, ata që veprojnë ndryshe dhe me vetëdije fshehin ndonjë mëkat, nuk i parashtrojnë mirësisë së Hyjit asgjë prej së cilës prifti do të mund t'ua falte. Sepse „nëse i sëmuri turpërohet t'ia zbulojë plagën mjekut, ky nuk mund ta shërojë, sepse nuk e njeh“. Sipas urdhërimit të Kishës, „çdo besimtar që ka arritur moshën e pjekurisë duhet të rrëfehet së paku një herë në vit, duke i rrëfyer mëkatet e rënda për të cilat është i vetëdijshëm“. „Kush është i vetëdijshëm se ka bërë një mëkat të rëndë, nuk guxon të marrë kungimin e shenjtë, edhe nëse ndien pendim të madh, pa e marrë më parë faljen sakramentore.“
Shumë mëkate i shkaktojnë dëm të afërmit. Duhet bërë gjithçka që është e mundur për ta zhdëmtuar atë dëm (p.sh. të kthehen sendet e vjedhura, të ndreqet emri i mirë i atij që është përfolur, të shërohen plagët). Kjo është kërkesë e drejtësisë së thjeshtë. Përveç kësaj, mëkati e plagos e e dobëson vetë mëkatarin, si edhe marrëdhëniet e tij me Hyjin e me të afërmin. Falja e fshin mëkatin, por nuk i ndreq të gjitha çrregullimet që mëkati i ka shkaktuar. Mëkatari, pasi është shkarkuar nga mëkati, duhet ta fitojë përsëri shëndetin e plotë shpirtëror. Ai duhet të bëjë diçka më shumë për ta ndrequr fajin e vet dhe, në mënyrën e duhur, duhet të pendohet për mëkatet e kryera.
