Kontaktet e para me Lëvizjen e Fokolarëve në Maqedoni datojnë qysh në vitin 1965, kur Antonio Petrilli (një nga ndjekësit e parë të Chiara Lubich-it) e vizitonte mikun e vet, priftin dom Luka Ćirimotić. Në vitin 1983, për gëzimin e ipeshkvit të atëhershëm, imzot Joakim Herbut, mbahen takimet e para në Shkup e në Kosovë, të cilat janë fillimi i bashkësive të para. Në vitin 1985, me providencën e Hyjit, hapet mundësia e punësimit në Maqedoni për një familje fokolarinësh nga Zagrebi, e cila në këtë njeh planin e Hyjit për jetën e vet dhe i përgjigjet me bujari asaj thirrjeje. Pas shpërnguljes në Shkup, krijohen kontaktet më të ndryshme: me fqinjët, në kishë, në vendin e punës… dhe kështu jeta e dialogut përparon. Formohen bashkësitë e para, të përbëra nga të rinj e të rritur, familje e persona të kushtuar, pjesëtarë të kishave, feve të ndryshme dhe njerëz pa përkatësi fetare. Rëndësi të madhe në atë rrugë të përbashkët kanë të ashtuquajturat „Mariapolis“, të cilat që nga viti 2000 mbahen rregullisht në Maqedoni. „Mariapolis“ është një takim disaditor nën përkujdesjen e Lëvizjes së Fokolarëve, i cili e promovon bashkëjetesën e mirëfilltë në dashuri.
Dialogu që e promovon kjo Lëvizje mbështetet në spiritualitetin, në qendër të të cilit është dashuria. Ajo gjen jehonë të drejtpërdrejtë edhe në fetë e kulturat e tjera, falë rregullës së artë: „Bëju të tjerëve atë që do të doje të ta bënin ty të tjerët“. Dhe pikërisht përmes zbatimit të kësaj rregulle të artë realizohet një dialog i frytshëm.
Zemra e Lëvizjes së Fokolarëve janë fokolarinet dhe fokolarinët, të cilët jetojnë në bashkësi të vogla laike, të quajtura fokolare. Para së gjithash, ata përpiqen ta mbajnë të gjallë flakën e pranisë së Krishtit të ngjallur, prej nga vjen edhe emri i tërë lëvizjes (fuoco në gjuhën italiane do të thotë vatër). Të tërhequr nga Hyji, burrat e gratë ia kushtojnë jetën Hyjit. I kanë lënë familjet e veta, atdheun e vet, për të kontribuar në realizimin e lutjes së Jezusit „Të gjithë të jenë një“. Përvoja e njësisë me Hyjin është fuqia që i nxit, në gjerësitë gjeografike më të ndryshme, të ndërtojnë ura, të ndezin dritën e shpresës e të dashurisë dhe ta mundin dhunën. Ata mbahen me punën e vet dhe të ardhurat i vënë në bashkim. Kjo flakë i përfshin edhe personat që janë të martuar, besnikë ndaj thirrjes së tyre, të cilët, pas zgjedhjes rrënjësore të jetës ungjillore, janë njëkohësisht anëtarë me të drejta të plota të fokolarit. Kur të dy bashkëshortët e ndajnë këtë jetë, familja — fokolar, në pajtim me gjendjen familjare, vihet në dispozicion për t'u shpërngulur në një pjesë tjetër të botës, ku prania e tyre mund të kontribuojë për njësinë.
Në botë ka 7160 fokolarinë, pjesëtarë të popujve, racave dhe feve të ndryshme, në 742 fokolare, në 83 vende.
Ndoshta më së miri i përshkruan shënimi i njohur i Chiara Lubich-it: „Ja tërheqja e madhe e kohës sonë: të depërtosh në soditjen më të thellë e prapëseprapë të mbetesh me të gjithë… Do të doja të thosha më shumë: të humbasësh veten në turmë, që ta formojmë atë me hyjnoren… duke u bërë pjesëtarë të planit të Hyjit për njerëzimin, të shquhesh mbi turmë duke e lidhur botën, e njëkohësisht të ndash me të afërmin fyerjet, urinë, goditjet, gëzimet e shkurtra“.
Në Shkup fokolari i grave hapet në vitin 2007 dhe që atëherë i përcjell përpjekjet rreth stilit ungjillor të jetës dhe nismat e ndryshme të bashkësisë së Lëvizjes në Maqedoni e në Kosovë, me përkrahjen e vazhdueshme atërore të ipeshkvit, imzot Kiro Stojanov.
Gjithçka nisi me Chiara Lubich-in, themeluesen e Lëvizjes së Fokolarëve, e cila fokolarin e përkufizon si „Shëmbëlltyrë të familjes së Nazaretit, e bashkëjetesës në botë të personave të virgjër e të kurorëzuar — të cilët, ndonëse në mënyra të ndryshme, janë dhuruar tërësisht Hyjit“.
Sot, në fokolarin e grave në Shkup veprojnë katër fokolarine, veprimtaria e të cilave realizohet në edukimin e fëmijëve të vegjël në kopsht, në promovimin e kulturës së dialogut e të bashkëjetesës, në katekezën famullitare dhe në veprimtari të tjera famullitare.
