
Një vend të veçantë në famullinë tonë e zënë motrat Misionare të Bamirësisë, sepse i themeloi bashkëqytetarja jonë, shën Nënë Tereza, më 7 tetor 1950. Karizma e tyre kryesore është shërbimi ndaj më të varfërve mes të varfërve. Më 19 shtator 1986, kur për të katërtën herë vizitoi qytetin e saj të lindjes, Shkupin, shën Nënë Tereza u siguroi motrave të veta një shtëpi dhe që atëherë Misionaret e Bamirësisë veprojnë në qytetin dhe në famullinë tonë. Sot veprimtaria e tyre në famulli është edukimi i fëmijëve dhe kateheza, ndërsa në mënyrë të posaçme kujdesen për të varfrit, duke u çuar ushqim.