
Dëshira për t'i dhënë nderim shkupjanes më të njohur dhe nobelistes së vetme nga Maqedonia u shndërrua në realizimin e idesë së dëshiruar prej kohësh për ndërtimin e Shtëpisë Përkujtimore të Nënë Terezës. Me atë rast, më 9 maj 2008, u vendos guri i themelit të shtëpisë përkujtimore. Vetëm nëntë muaj më vonë u ndërtua objekti kushtuar gruas më njerëzore të botës. Shtëpia Përkujtimore u hap zyrtarisht për vizitorët më 30 janar 2009.
Vendndodhja e objektit nuk është zgjedhur rastësisht. Pikërisht në këtë vend, deri në tërmetin e vitit 1963, ndodhej kisha katolike „Zemra e Shenjtë e Jezusit“, në të cilën Nënë Tereza, atëherë Gonxhe Bojaxhiu, u pagëzua vetëm një ditë pas lindjes së saj.

Nga hapja e saj në vitin 2009 e deri sot, shtëpia përkujtimore vizitohet nga 80.000 deri në 100.000 vizitorë në vit, mes të cilëve ka pasur edhe një numër të madh presidentësh shtetesh, ministrash, ambasadorësh e personalitetesh kishtare: Agi, mbesa e Nënë Terezës, kardinali Pietro Parolin (sekretar shteti i Vatikanit), at Leo Maasburg (biograf i Nënë Terezës), Marie Prema (eprorja e përgjithshme e urdhrit të „Motrave të Bamirësisë“), si dhe shumë të tjerë.
Brendia e hapësirës ekspozuese në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës është punuar me qëllim që të kujtojë një shtëpi tipike qytetare të Maqedonisë nga fillimi i shekullit XX.
Ekspozita nis me fotografi të Shkupit të vjetër nga fillimi i shekullit të njëzetë, kur Maqedonia ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane, me qëllim që të përcillet fryma e kësaj pjese të Ballkanit si udhëkryq mes Lindjes orientale dhe Perëndimit të krishterë. Ndërthurja e kulturave shquhet në çdo fije të përditshmërisë dhe ilustrohet më së miri përmes mobiljeve të ekspozuara, punimeve të kujunxhinjve, veshjeve e kështu me radhë.
Koncepti i ekspozitës është të ndiqet rruga e jetës së Nënë Terezës, nga fëmijëria e saj e kaluar në Shkupin e lindjes, përmes viteve të kaluara si Misionare e Bamirësisë, e deri te vdekja, lumturimi dhe kanonizimi i saj.
Sendet më të rëndësishme të ekspozuara në muze janë: sariu i bardhë me vija blu (relikt i shkallës së dytë), i cili është shenja e saj dalluese dhe njëkohësisht uniforma zyrtare e Misionareve të Bamirësisë, një kopje e certifikatës së pagëzimit të lëshuar në kishën katolike „Zemra e Shenjtë e Jezusit“, kopje të vërtetuara të dokumenteve të shkruara me dorën e saj dhe çmimet e fituara.

Mes dokumenteve janë ekspozuar edhe libri i lutjeve i shkruar nga Nënë Tereza, një kopje e Çmimit Nobel për Paqe, fituar në vitin 1979, si dhe një kopje e letrës së dërguar kryetarit të qytetit të Shkupit, Metodi Antov, me rastin e marrjes së çmimit.
Mbi hapësirën ekspozuese ndodhet shenjtërorja e shën Nënë Terezës, ku mbahen meshë të shenjta. Në meshët solemne, të lidhura me data të rëndësishme nga jeta e Nënë Terezës, ekspozohet relikti i saj i shkallës së parë.
(teksti dhe fotografitë janë marrë nga https://memorialhouseofmotherteresa.com/ )