Krezmimi

Krezmimi është sakramenti i Shpirtit Shenjt. Jezu Krishti u ngjiz dhe lindi prej Shpirtit Shenjt nga Virgjëra Mari. Në pagëzimin te Jordani iu dhurua dukshëm Shpirti Shenjt, i cili e ‘vajosi’ për Mesi. Ai vetë dëshmoi për vete: „Shpirti i Zotit është mbi mua... Më dërgoi t'i shëroj ata që e kanë zemrën të thyer, t'u kumtoj të burgosurve lirinë e të verbërve të pamurit, t'i lëshoj të lirë të shtypurit, të shpall vitin e hirit të Zotit” (Luka 4, 18). Ungjilli shënon se në veprimtarinë e tij publike ai fliste e vepronte i mbushur me Shpirtin Shenjt. Jezusi ua premtoi edhe dishepujve të vet Shpirtin Shenjt si Shpirt të së vërtetës, që do t'i çonte në të vërtetën e plotë, si Shpirt të fuqisë me të cilin do të dëshmonin për të, si edhe si Shpirt ngushëllues e mbrojtës. Dhuratën e premtuar të Shpirtit dishepujt e morën në Rrëshajët e para dhe menjëherë ua përcollën atë dhuratë të gjithë të krishterëve me vënien e duarve. Me këtë, ngjarja e Rrëshajëve përtërihet në Kishë nëpër të gjithë shekujt: Shpirti Shenjt i forcon zemrat e dishepujve të Jezusit në fe, në shpresë, në dashuri dhe në dëshmi.

duh sveti Krizma foto-min

Krezmimi e vazhdon dhe e plotëson atë shenjtërim që nisi me pagëzimin. Prandaj, te të pagëzuarit e rritur krezmimi jepet menjëherë pas pagëzimit, kurse kremtimi përmbushet me eukaristinë: këto janë tri sakramentet themelore, të cilat e futin plotësisht njeriun në Kishë e në hiret e saj, e gëzojnë nga brenda dhe e bëjnë të aftë për jetën në fe. Prandaj ato quhen edhe ‘sakramente të hyrjes në krishterim’ ose ‘sakramente të nismëtimit’. Me sakramentin e krezmimit e marrim në mënyrë të veçantë dhuratën e Shpirtit Shenjt, i cili na mbush me dritën e vet dhe me fuqinë e vet na ‘përforcon’, domethënë na forcon e na përtërin në fe e në dashuri. Atë që Shpirti Shenjt na e dhuron në mënyrë të fshehtë dhe e vepron në ne përmes sakramentit të krezmimit, shkurtimisht mund ta shprehim kështu:
Shpirti Shenjt e përsos dhe e plotëson në ne ngjashmërinë e brendshme me Krishtin (“përshtatjen” me Krishtin) që na dhurohet në pagëzim; me krezmimin i pagëzuari përfshihet në Kishë më plotësisht e më personalisht (futet më plotësisht në Trupin sakramentor të Krishtit dhe bëhet në mënyrë më të plotë anëtar i popullit të Hyjit). Me këtë, i krezmuari bëhet më i aftë dhe më i detyruar të marrë pjesë në misionin e Kishës dhe të marrë përsipër në të shërbime e përgjegjësi.

KUSH MUND TË JETË KUMBAR I KREZMIMIT

  • katolik i mbushur 16 vjeç;

  • i pagëzuar, i kunguar dhe i krezmuar;

  • kumbar nuk mund të jetë ai që është vetëm i kurorëzuar civilisht, domethënë duhet të jetë edhe i kurorëzuar në kishë (dhe i krezmuar);

  • kumbar nuk mund të jetë ai që është i shkurorëzuar dhe i rimartuar civilisht ose që jeton në bashkësi jashtëmartesore;

  • kumbar nuk mund të jetë ai që jeton pa kurorë (për shembull një djalë dhe një vajzë), përderisa të mos e lidhë sakramentin e martesës së shenjtë;

  • kumbari duhet të jetojë në pajtim me fenë katolike dhe me mësimin e Kishës;

    babai dhe nëna nuk mund të jenë kumbarë të fëmijës së vet;

  • Nëse kumbarët nuk janë nga famullia jonë, duhet të sjellin një vërtetim nga famullitari i tyre, që të mund të kumbarojnë.