Shugurimi priftëror

Me sakramentin e shugurimit, përmes vendosjes hyjnore, disa nga besimtarët, të shënuar me një vulë të pashlyeshme, vihen si shërbëtorë të shuguruar, të cilët kushtohen e caktohen që, secili sipas shkallës së vet, ta kryejnë në personin e Krishtit shërbimin e mësimit, të shenjtërimit dhe të drejtimit e të udhëheqjes së popullit të Hyjit.

Sakramenti i shugurimit ka tri shkallë:

  • dhjakonati

  • presbiterati (priftëria)

  • episkopati (ipeshkvia)

Ai jepet me vënien e duarve dhe me lutjen e shugurimit, të cilën për secilën shkallë veç e veç e përshkruajnë librat liturgjikë. Shugurimin e kryen një ipeshkëv i shuguruar, kurse në rastin e shugurimit të një kandidati për ipeshkëv, së bashku me shuguruesin kryesor marrin pjesë së paku edhe dy shugurues të tjerë.

D8E_0992-min

Kush është dhjaku?

Në Besëlidhjen e Re përmendet shërbimi i dhjakut (gr. diakoneín = të shërbejë; Fil 1, 2; 1 Tim 3,8vv.). Si një lloj paraardhësish të dhjakonatit mund t'i konsiderojmë ata shtatë burra të cilët, sipas dëshmisë në Veprat e Apostujve 6, 1-6, i zgjodhi bashkësia e Jerusalemit dhe të cilët apostujt, pas lutjes dhe vënies së duarve, i vunë si ndihmësit e vet. Edhe pse shërbimi i tyre i parë ishte ‘shërbimi te tryezat’, pra një detyrë e caktuar shoqërore-bamirëse, shumë shpejt i shohim këta të shtatë edhe në shërbimin e lajmërimit e të kthimit të njerëzve, deri te pagëzimi (Stefani, Filipi).

Ndërsa Kishat lindore edhe sot e kësaj dite e caktojnë dhjakonatin si një shërbim të përhershëm e të përjetshëm, në Perëndim që nga mesjeta e hershme ai njihet si një shkallë në rrugën drejt presbiteratit. Dikush bëhej dhjak jo për të mbetur në atë shkallë, por për të mundur të bëhej presbiter. Koncili i Trentit (1545-1563) u përpoq ta vendoste dhjakonatin e përhershëm, por ai përfundim nuk u zbatua. Kjo ndodhi vetëm në Koncilin II të Vatikanit. Kështu, dokumenti Lumen gentium 29 i cakton para së gjithash detyrat e dhjakut: Është shërbim i dhjakut, ashtu siç do t'ia caktojë autoriteti kompetent, ta japë solemnisht pagëzimin, ta ruajë e ta ndajë eukaristinë, të marrë pjesë në emër të Kishës në kurorëzime e t'i bekojë ato, t'u çojë kungimin atyre që po vdesin, t'u lexojë besimtarëve Shkrimin Shenjt, ta mësojë e ta nxisë popullin, të udhëheqë shërbesa e lutje të besimtarëve, të japë bekimin, të udhëheqë ritin e varrimit e të përcjelljes; i kushtuar detyrave të dashurisë së krishterë e të ndihmës…

Dhjakonatin e përhershëm mund ta kërkojnë burrat e martuar dhe ata të pamartuar. Burrave të martuar në moshë të pjekur (jo nën 35 vjeç) dhjakonati mund t'u jepet me pëlqimin e Ipeshkvit të Romës. E njëjta procedurë vlen edhe për burrat e pamartuar, të cilët, megjithatë, i lidh detyrimi i celibatit për tërë jetën.
Kandidatët për presbiterat e marrin prej dhjakonatit edhe detyrimin e lutjes së Liturgjisë së Orëve, kurse dhjakëve të përhershëm u këshillohet, si diçka shumë e përshtatshme për zemrën, ta luten çdo ditë atë pjesë të Liturgjisë së Orëve që do ta caktojë konferenca ipeshkvnore.

IMG_5797-min (1)

Kush është prifti?

Prifti është ‘alter Christus — një Krisht tjetër’, sepse vepron në emër të Krishtit sipas fjalëve: „Siç më dërgoi mua Ati, ashtu edhe unë ju dërgoj ju“ (Gjn 20, 21). Prifti është shërbëtor i Krishtit: pra, si vegël e Shëlbuesit hyjnor, që ai të mund ta kryejë nëpër kohë veprën e vet të mrekullueshme.

Thirrja priftërore është mister. Është misteri i ‘shkëmbimit të mrekullueshëm’ — admirabile commercium — mes Hyjit dhe njeriut. Prifti ia dhuron Krishtit njerëzoren e vet, që Ai të shërbehet me të si mjet shpëtimi, duke bërë prej tij thuajse një të dytë si vetja.
Qëllimi i shërbimit presbiteral është, sipas fjalëve të shën Augustinit (De civitate Dei), që „tërë qyteti i shëlbuar, domethënë kuvendi e shoqëria e shenjtorëve, t'i paraqitet Hyjit si flijim i përgjithshëm përmes Kryepriftit të Madh, i cili e paraqiti edhe vetveten në Mundimin e tij, që ne të mund të jemi një trup i vetëm i një Kreu kaq të lartë“.

Në Letrën drejtuar Hebrenjve (5,1-4) flitet për pozitën e priftit: „Sepse çdo kryeprift, që zgjidhet nga mesi i njerëzve, vihet për njerëzit në shërbim të Hyjit, që të ofrojë dhurata e flijime për mëkatet, dhe që të mund t'i kuptojë ata që janë të paditur e të humbur, meqë edhe vetë është i veshur me dobësi; e prandaj është i detyruar të ofrojë flijime si për popullin, ashtu edhe për mëkatet e veta. E askush nuk e merr vetë këtë nder, përveç atij që është thirrur nga Hyji, sikurse Aaroni.“

Prifti, ndryshe nga dhjaku, mund t'i japë sakramentet e pajtimit (rrëfimin), vajimin e të sëmurëve, krezmimin (me leje të posaçme të ipeshkvit) dhe mund ta udhëheqë meshën e shenjtë, domethënë ta shenjtërojë bukën e verën në Trupin e Gjakun e Krishtit.

D8E_0793-min

Kush është ipeshkvi?


Ipeshkvi është ai që e vazhdon shërbimin fillestar apostolik. Shërbimi i kryetarit (gr. proistamenoi), që haset në bashkësitë e para të themeluara nga shën Pali (1 Sel 5, 12), shfaqet më vonë në bashkësitë hebraike-të krishtera si shërbim kolegjial i pleqve (présbyteroi: Veprat 11, 30; 15, 2), kurse në bashkësitë paganike-të krishtera si ipeshkvij (gr. epískopos: Fil 1, 1). Tashmë në Veprat 20, 17-30 ky shërbim quhet ‘shërbim baritor’.


Në dokumentin Lumen gentium 21 thuhet se me shugurimin ipeshkvnor përcillet ‘plotësia’ e sakramentit të shugurimit dhe se „ipeshkvijtë, në mënyrë të shquar e të dukshme, e kryejnë rolin e vetë Krishtit, Mësuesit, Bariut dhe Priftit, dhe veprojnë në emër të tij“.
Ipeshkvijve u përket dhënia e sakramenteve të krezmimit dhe të shugurimit të kandidatëve për dhjakonat e për presbiterat.